Mësuesi Donald Dervishi ka udhëtuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës drejt Shqipërisë për t’iu bashkuar protestave qytetare që prej më shumë se dy javësh po zhvillohen në Tiranë. Ai e konsideron lëvizjen aktuale si një sinjal të qartë se shqiptarët po kërkojnë ndryshim dhe një qeverisje më të përgjegjshme.
Gjatë një interviste televizive, Dervishi tregoi se diaspora shqiptare në SHBA reagoi menjëherë pas nisjes së protestave në vend, duke organizuar grupe mbështetëse në qytete të ndryshme, fillimisht në Nju Jork dhe më pas në Uashington. Sipas tij, emigrantët zhvilluan edhe tubime pranë institucioneve shqiptare, pavarësisht vështirësive dhe presioneve që hasën gjatë organizimit.
“Kam tre ditë që jam në Shqipëri dhe vendosa të jem pjesë e kësaj proteste. Mendoj se është një moment i rëndësishëm për vendin. Shqiptarët po tregojnë se duan ndryshim dhe se kërkojnë më shumë përgjegjshmëri nga institucionet”, u shpreh ai.
Dervishi theksoi se edhe komuniteti shqiptar në SHBA përballet me presione të ndryshme kur bëhet fjalë për angazhimin publik dhe kritikën ndaj politikës shqiptare. Sipas tij, shumë emigrantë hezitojnë të përfshihen për shkak të lidhjeve familjare apo profesionale që kanë në Shqipëri.
“Ka njerëz që kanë familjarë të punësuar në administratë apo lidhje me struktura të ndryshme politike. Kjo krijon një lloj trysnie, por pavarësisht kësaj ne vendosëm të bëjmë pjesën tonë”, tha ai.
Si mësues i gjuhës dhe letërsisë, Dervishi kujtoi edhe angazhimet e tij të mëparshme qytetare, duke përmendur protestën kundër armëve kimike dhe lëvizjen studentore të vitit 2018. Ai beson se protesta aktuale përfaqëson një mundësi të re për reflektim dhe ndryshim.
“Ne nuk kërkojmë të kopjojmë modele të huaja, por të marrim shembujt më të mirë të demokracive funksionale europiane dhe t’i përshtatim në Shqipëri”, deklaroi ai.
Në fund, Dervishi nënvizoi se synimi i tij është të kontribuojë për përmirësimin e kushteve të jetesës në vend dhe për forcimin e përgjegjshmërisë së institucioneve ndaj qytetarëve.
“Dua që Shqipëria të bëhet një vend më i mirë për familjet tona. Dua që taksat e qytetarëve të kthehen në shërbime cilësore dhe që njerëzit të ndjejnë se kontributi i tyre respektohet. Për këtë arsye kam zgjedhur të jap kontributin tim dhe të jem i pranishëm në këtë moment”, përfundoi Dervishi.
