Seanca e radhës për dosjen “Partizani” në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar zgjati disa orë, por nuk u arrit të përfundojnë të gjitha parashtrimet për shkak të afateve kohore të zëna nga mbrojtja.
Seanca nisi me parashtrimet e avokates së Sali Berishës, Klodiana Gjyzari, e cila e cilësoi procesin si të nxitur politikisht. Ajo iu referua deklaratave publike të kryeministrit Edi Rama, duke pretenduar se ai ka ushtruar presion mbi organet e drejtësisë për ndjekjen penale të kreut të Partisë Demokratike.
Më pas, parashtrimet i vijoi Jamarbër Malltezi, i cili do të vazhdojë mbrojtjen edhe në seancën e ardhshme.
Pas përfundimit të seancës, Malltezi deklaroi për mediat se ka kërkuar zyrtarisht thirrjen e kryeministrit Edi Rama si dëshmitar në proces, duke argumentuar se firma e tij gjendet në të paktën tetë dokumente të dosjes hetimore.
Sipas Malltezit, prokuroria nuk ka vullnet politik për ta pyetur kryeministrin, por ai këmbëngul se Rama duhet të mbajë përgjegjësi ligjore për vendimet e marra.
“Firma e Edi Ramës del në të paktën tetë dokumente. Është ai që ka bërë ndërrimin e destinacionit, ai që ka dhënë autorizimet dhe lejet. Ne do ta vëmë me përgjegjësi pas murit”, u shpreh Malltezi.
Ai njoftoi gjithashtu se ka kërkuar që seancat e ardhshme të zhvillohen me praninë e mediave dhe kamerave, kërkesë që sipas tij është pranuar nga gjykata, me kusht që mediat të paraqesin kërkesë formale.
Malltezi theksoi se do të paraqesë prova vizuale gjatë mbrojtjes së tij, përfshirë dokumente dhe materiale që sipas tij hedhin poshtë akuzat dhe tregojnë falsifikime në hetim. Gjykata ka pranuar edhe kërkesën për përdorimin e projektorit gjatë paraqitjes së fakteve.
Në deklaratën e tij, Malltezi pretendoi se në këtë çështje nuk ekziston asnjë fakt penal dhe asnjë dëm ekonomik për shtetin, duke theksuar se prona ka qenë private dhe se shteti ka përfituar financiarisht nga procesi.
“Ky proces po kthehet në një meme: ndërrimi i destinacionit u bë nga Edi Rama, lejet u dhanë nga Edi Rama, por fajin e paska Sali Berisha”, tha Malltezi.
Seanca e radhës është caktuar për datën 26 janar, ora 10:00, ku pritet të vijojnë parashtrimet e mbrojtjes nga Jamarbër Malltezi dhe të pandehurit e tjerë në proces.
