Qytetarët pritet të mblidhen sërish këtë të mërkurë në Tiranë në kuadër të protestës së 18-të radhazi kundër qeverisë, duke vijuar mobilizimin që ka nisur prej më shumë se dy javësh në kryeqytet.
Organizatorët kanë njoftuar se, ndryshe nga ditët e mëparshme, grumbullimi do të nisë në orën 19:00. Sipas tyre, ndryshimi i orarit është bërë për shkak të temperaturave të larta që kanë përfshirë vendin gjatë ditëve të fundit.
Pavarësisht ndryshimit të orarit, pjesëmarrësit kanë deklaruar se nuk do të tërhiqen nga protesta dhe do të vazhdojnë të mblidhen çdo ditë për të shprehur kërkesat e tyre politike dhe qytetare.
Mbrëmjen e kaluar, protesta e 17-të u shoqërua me marshime në disa zona të kryeqytetit, përfshirë bulevardin kryesor, zonën pranë Kuvendit dhe Sheshin “Skënderbej”. Protestuesit përsëritën thirrjet për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshime në qeverisje.
Sipas organizatorëve, skenari i protestës së sotme pritet të ndjekë të njëjtën linjë si në ditët e mëparshme, me grumbullim në qendër të Tiranës dhe marshim në rrugët kryesore të qytetit.
Qytetarët që marrin pjesë në protestë kanë deklaruar se do të vijojnë mobilizimin deri në realizimin e kërkesave të tyre, ndërsa organizatorët kanë bërë thirrje për pjesëmarrje dhe për ruajtjen e karakterit paqësor të tubimit.
