Deputeti socialist Erion Braçe ka reaguar publikisht ndaj zhvillimeve të fundit politike, duke kritikuar hapur mënyrën se si janë zhvilluar takimet e kryeministrit Edi Rama në Njësinë 5 në Tiranë.
Përmes një statusi në rrjetet sociale, Braçe shprehet i habitur që mbledhje politike zhvillohen në zonën që ai përfaqëson pa praninë e tij si deputet. Ai e cilëson këtë praktikë si të gabuar dhe joproduktive, duke theksuar se politika kërkon marrëdhënie të qëndrueshme dhe besim me qytetarët.
“Një udhëheqës shkon dhe bën mbledhje në Njësinë 5 pa deputetin. Krijon grupe komunikimi që deputeti të mos dijë. Por nuk ka gjë që ndodh në Njësinë 5 dhe unë të mos e di”, shprehet Braçe.
Ai kritikon gjithashtu atë që e quan “zëvendësim i deputetëve me drejtorokracinë”, duke theksuar se delegimi i pushtetit te persona pa mandat dhe pa lidhje direkte me qytetarët dëmton funksionimin e partisë dhe përfaqësimin.
Sipas tij, tentativa për të shkëputur deputetin nga territori është një qasje e gabuar, pasi marrëdhëniet politike ndërtohen me kohë dhe nuk mund të zëvendësohen me struktura të përkohshme apo figura administrative.
Braçe hodhi poshtë edhe pretendimet se ai është kundër figurave të tjera brenda partisë, duke theksuar se qëndrimi i tij lidhet me nevojën për alternativa më të mira në shërbim të qytetit.
Reagimi i tij vjen në një moment tensionesh të brendshme në radhët e mazhorancës, duke sinjalizuar pakënaqësi për mënyrën e organizimit dhe drejtimit në nivel lokal.
