Trump në samitin e G7: Irani nuk duhet të ketë armë bërthamore, ndërsa Rusia dhe Ukraina duhet të arrijnë marrëveshje

Data

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar gjatë samitit të G7-ës në Évian-les-Bains të Francës se prioritetet kryesore të politikës ndërkombëtare mbeten përfundimi i luftës në Ukrainë dhe parandalimi i zhvillimit të armëve bërthamore nga Irani.

Pas takimeve me liderët e vendeve më të industrializuara dhe me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, Trump u shpreh se do të angazhohet maksimalisht për të nxitur një marrëveshje paqeje mes Moskës dhe Kievit.

“Rusia dhe Ukraina duhet të bëjnë një marrëveshje. Të dyja palët kanë pësuar humbje të mëdha njerëzore dhe kjo luftë duhet të marrë fund”, deklaroi presidenti amerikan.

Nga ana e tij, Zelensky theksoi nevojën për forcimin e mbrojtjes ajrore të Ukrainës dhe për rritjen e presionit diplomatik ndaj Rusisë, me qëllim ndalimin e agresionit ushtarak. Sipas burimeve diplomatike evropiane, bisedimet mes dy liderëve janë zhvilluar në një atmosferë konstruktive.

Një tjetër çështje që dominoi diskutimet në samit ishte situata në Lindjen e Mesme dhe programi bërthamor iranian. Trump ritheksoi se çdo marrëveshje me Teheranin duhet të garantojë që Irani të mos zotërojë armë bërthamore.

“Qëndrimi ynë është i qartë: Irani nuk duhet të ketë armë bërthamore”, deklaroi ai.

Presidenti amerikan komentoi gjithashtu zhvillimet në Liban dhe marrëdhëniet me Izraelin, duke shprehur pakënaqësi për mënyrën se si është menaxhuar konflikti me Hezbollahun. Megjithatë, ai nënvizoi se marrëdhëniet me Izraelin mbeten të forta dhe strategjike.

Samiti i G7-ës po zhvillohet në një moment të ndërlikuar për sigurinë globale, me luftën në Ukrainë, tensionet në Lindjen e Mesme dhe sfidat ekonomike ndërkombëtare që dominojnë axhendën e liderëve botërorë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related