Protesta kundër projektit të ndërtimit në zonën e Zvërnecit dhe kundër politikave të qeverisë ka vijuar edhe këtë të martë, duke hyrë në ditën e saj të 17-të.
Qytetarë nga Tirana dhe zona të tjera të vendit janë grumbulluar në Sheshin “Skënderbej”, nga ku pritet të nisin marshimin drejt godinës së Kryeministrisë.
Pjesëmarrësit mbajnë pankarta dhe shfaqin mesazhe kundërshtuese ndaj projektit të zhvillimit në Zvërnec, ndërsa kërkojnë transparencë më të madhe për investimet që prekin zonat e mbrojtura dhe mjedisin.
Sipas organizatorëve, protesta synon të sensibilizojë opinionin publik dhe institucionet për çështjet që lidhen me mbrojtjen e natyrës, zhvillimin e qëndrueshëm dhe procesin e vendimmarrjes për projektet me ndikim të madh në territor.
Ndërkohë, autoritetet kanë marrë masa për mbarëvajtjen e tubimit dhe garantimin e rendit publik gjatë zhvillimit të marshimit në kryeqytet.
Protesta e së martës është vazhdim i mobilizimeve të nisura më herët, të cilat kanë mbledhur qytetarë, aktivistë dhe përfaqësues të grupeve të ndryshme të interesit që kundërshtojnë projektin në Zvërnec.
