Eksperti i teknologjisë së informacionit dhe një nga figurat më aktive të protestave qytetare në Tiranë, Gent Progni, është paraqitur këtë të hënë në ambientet e Policisë së Tiranës për të dhënë shpjegime lidhur me marshimin e zhvilluar një ditë më parë nga protestuesit.
Pas daljes nga policia, Progni sqaroi se dëshmia e tij kishte të bënte me itinerarin dhe qëllimin e marshimit, duke mohuar pretendimet se synimi i protestuesve ishte bllokimi i Aeroportit Ndërkombëtar të Rinasit.
Sipas tij, destinacioni i parashikuar i marshimit ishte mbikalimi i Kasharit dhe jo aeroporti, ndërsa theksoi se protesta kishte karakter simbolik dhe synonte të tregonte vendosmërinë e qytetarëve.
“Dhashë deklarimet e mia për protestën dhe marshimin e djeshëm. Sqarova se synimi ynë ishte mbikalimi i Kasharit dhe jo aeroporti. Kisha përgatitur mbi 100 flakadanë për të treguar se nuk jemi në rrugë për një shëtitje të zakonshme, por për të dëshmuar se jemi të vendosur dhe seriozë në kërkesat tona”, deklaroi Progni.
Ai foli gjithashtu për mesazhin që, sipas tij, përfaqëson lëvizja protestuese, duke u distancuar nga partitë tradicionale politike dhe duke kërkuar unitet mes pjesëmarrësve.
“Motoja e protestës është ‘Rama në burg, Berisha në burg’. Mos u përçani, sepse bashkë jemi më të fortë”, u shpreh ai.
Në përfundim, Progni u bëri thirrje qytetarëve që t’i bashkohen marshimit të radhës të planifikuar në orën 18:00 përpara Kryeministrisë, duke theksuar se protestat do të vijojnë në mënyrë paqësore dhe qytetare.
Protestat kundër qeverisë kanë hyrë në javën e tretë të tyre, ndërsa organizatorët deklarojnë se do të vazhdojnë aktivitetet deri në realizimin e kërkesave që kanë artikuluar publikisht.
