“Skandalet me rrugët, AKSHI-n dhe PPP-të tregojnë se…”/ Tabaku ‘shpërthen’: Korrupsioni është kthyer në sistem

Data

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar ashpër përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale, ku analizon atë që e cilëson si problemin themelor të shoqërisë dhe ekonomisë shqiptare: korrupsionin e institucionalizuar.

Sipas Tabakut, lufta kundër korrupsionit nuk është thjesht një kusht formal në procesin e integrimit europian, por çështja kyçe që shpjegon realitetin ekonomik dhe social të Shqipërisë sot. Ajo thekson se korrupsioni është shkaku kryesor i kapjes së ekonomisë në pak duar, i pastrimit të parave, i largimit masiv të të rinjve nga vendi dhe i humbjes së shpresës tek qytetarët.

Deputetja e PD-së rikujton se ndër vite ka propozuar një sërë nismash ligjore dhe një paketë të posaçme antikorrupsion, por nënvizon se ndryshimet ligjore, sado të nevojshme, nuk mjaftojnë kur mungon vullneti politik dhe kur korrupsioni është ngritur në nivel sistemi.

Sipas saj, problemi nuk qëndron vetëm te ligjet, por te mënyra se si funksionon pushteti dhe modeli i qeverisjes, i cili, sipas Tabakut, e prodhon dhe e ushqen korrupsionin. Ajo përmend si shembull konkret ligjin për koncesionet dhe Partneritetet Publike Private (PPP), i cili pavarësisht ndryshimeve të bëra nga viti 2017 deri në vitin 2023, vijon të prodhojë të njëjtat problematika.

Rastet e inceneratorëve, koncesionet rrugore, sektori i energjisë apo skandalet në AKSHI, sipas Tabakut, tregojnë se edhe një ligj i ndërtuar mbi standarde europiane nuk e ndalon korrupsionin, kur ky është bërë pjesë e vetë sistemit të qeverisjes.

Në përfundim, Tabaku thekson se ndryshimi real nuk vjen nga rregullime kozmetike ligjore apo platforma formale, por nga ndryshimi i sistemit dhe rikthimi i vullnetit politik për të luftuar korrupsionin. Sipas saj, vetëm një ndryshim i tillë mund të çlirojë ekonominë nga kapja, të rikthejë besimin e qytetarëve dhe të hapë perspektivë për të ardhmen e vendit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related