Pjerin Ndreu reagon pas largimit të Marjana Koçekut nga PS: Mandati nuk duhet keqpërdorur

Data

Kryetari i Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu, ka reaguar pas vendimit të deputetes Marjana Koçeku për t’u larguar nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste dhe për të vijuar aktivitetin e saj si deputete e pavarur.

Përmes një reagimi publik, Ndreu u shpreh se largimi nga një forcë politike është një zgjedhje legjitime kur dikush nuk e gjen më veten në të, por theksoi se mandati i fituar nën siglën e një partie nuk duhet të keqpërdoret.

Sipas tij, Koçeku është përfshirë në politikë duke marrë një vlerësim të rëndësishëm nga Partia Socialiste, pasi u vendos në krye të listës së kandidatëve në qarkun e Shkodrës, pa pasur më parë një angazhim të gjatë politik brenda strukturave të partisë.

“Çdokush mund të ndryshojë mendim, ide apo bindje politike. Kjo është krejt normale në një shoqëri demokratike. Por nderi i caktimit në krye të listës politike të qarkut më të madh në veri, pa asnjë kontribut politik të mëparshëm, moralisht nuk duhet të keqpërdoret”, shprehet Ndreu.

Ai shtoi se dorëzimi i mandatit do të ishte një veprim që, sipas tij, do ta nderonte politikisht deputeten.

“Heqja dorë nga mandati i marrë falë votës së mijëra socialistëve shkodranë do të ishte një akt që do ta fisnikëronte Marjana Koçekun”, deklaroi ai.

Ndreu theksoi se largimi i një deputeteje nuk përbën problem për Partinë Socialiste, por e konsideroi vendimin si një cenim të besimit politik të dhënë nga partia dhe mbështetësit e saj.

“Kjo nuk është dramë për PS-në, por është shkelje besimi, për sa kohë që keqpërdoret mandati i dhënë politikisht nga Partia Socialiste”, tha ai.

Në fund të reagimit, kryebashkiaku i Lezhës iu referua edhe traditës së malësorëve, duke theksuar rëndësinë e respektimit të besimit dhe mirënjohjes.

“Përtej ekzaltimeve të disave që besojnë se u shemb bota, duhet të mbizotërojë morali i malësorit: aty ku ha bukë, mos përmbys kupë”, përfundoi Ndreu.

Largimi i Marjana Koçekut nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste ka shkaktuar debate dhe reagime të shumta në kampin socialist, ndërsa deputetja ka bërë të ditur se do të vazhdojë aktivitetin e saj politik si e pavarur.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related