Balla mbledh grupin e PS pas largimit të Koçekut: Do të flasim në momentin e duhur

Data

Partia Socialiste ka zhvilluar paraditen e së dielës mbledhjen e grupit parlamentar, e para pas vendimit të deputetes së Shkodrës, Marjana Koçeku, për t’u larguar nga grupi parlamentar socialist dhe për të vijuar mandatin si deputete e pavarur.

Sipas raportimeve nga mbledhja, drejtuesi i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, ka zgjedhur të mos komentojë gjerësisht vendimin e Koçekut, duke deklaruar se çështja do të trajtohet në një moment tjetër.

“Për Marjana Koçekun do të flasim kur të jetë momenti”, mësohet të ketë thënë Balla gjatë mbledhjes së grupit parlamentar.

Vendimi i deputetes shkodrane u bë publik një ditë më parë përmes një reagimi në rrjetet sociale, ku ajo njoftoi se do të vijojë aktivitetin e saj parlamentar si deputete e pavarur.

“Prej sot jam deputete e pavarun. Idealet e vlerat e mia janë ato që i kam pasë e i kam shprehë qysh para se me u asociu me nji parti. Ato m’i diftojnë kufijtë”, shkroi Koçeku në deklaratën e saj.

Marjana Koçeku fitoi mandatin e deputetes në zgjedhjet parlamentare si pjesë e listës së mbyllur të Partisë Socialiste në qarkun Shkodër.

Largimi i saj nga grupi parlamentar socialist ka sjellë reagime të ndryshme në politikë dhe brenda vetë kampit mazhoritar, ndërsa mbetet për t’u parë nëse do të ketë zhvillime të tjera lidhur me pozicionimin e saj politik në vijim.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related