Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka shprehur mbështetjen e tij për protestat qytetare që prej më shumë se dy javësh po zhvillohen në Tiranë, duke deklaruar se ato përfaqësojnë një reagim të rinisë dhe qytetarëve kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama.
Pas paraqitjes në SPAK, në kuadër të masës së sigurisë “detyrim paraqitje” lidhur me dosjen “Partizani”, Berisha komentoi zhvillimet politike dhe protestat që po mbahen çdo ditë në kryeqytet.
Sipas tij, kryeministri Rama ndodhet nën presion nga mobilizimi qytetar dhe largimi i tij nga pushteti është vetëm çështje kohe.
“I them Edi Ramës se çfarëdo që të bëjë është i pashpresë. Ta kanë prerë biletën. Mos shpik fashistë dhe mos fyen qytetarët që protestojnë paqësisht. Edhe pak ditë dhe do të largohet”, deklaroi Berisha.
Kreu i demokratëve ftoi anëtarët dhe mbështetësit e Partisë Demokratike që t’u bashkohen protestave, duke i cilësuar ato si një lëvizje qytetare me rëndësi të veçantë për të ardhmen e vendit.
“Kam admirimin më të madh për këtë protestë. Është një nga protestat më të mëdha rinore dhe qytetare që ka njohur Shqipëria. Demokratët duhet të marrin pjesë pa asnjë hezitim”, tha ai.
Berisha theksoi se nuk do të marrë pjesë personalisht në protestë, pasi sipas tij ajo nuk ka karakter partiak dhe duhet të ruajë identitetin e saj qytetar.
“Unë nuk do të shkoj sepse jam drejtues politik dhe protesta nuk është partiake. Nuk dua të ndërhyj në karakterin e saj qytetar. Por e ndjek me respekt dhe admirim”, u shpreh ai.
I pyetur për sloganet e protestuesve që kërkojnë ndëshkimin e të gjithë figurave politike, përfshirë edhe atë vetë, Berisha tha se nuk ndjen asnjë shqetësim për këtë dhe e konsideron protestën si një shprehje të lirë të pakënaqësisë qytetare.
Në deklaratën e tij, lideri demokrat përsëriti gjithashtu qëndrimin për krijimin e një qeverie teknike dhe organizimin e zgjedhjeve të lira, duke kërkuar reforma të thella në sistemin zgjedhor, përfshirë lista plotësisht të hapura dhe masa më të forta kundër krimit elektoral.
Sipas Berishës, protestat qytetare po krijojnë një moment të ri politik në vend, ndërsa ai mbetet i bindur se presioni publik ndaj qeverisë do të vijojë të rritet në ditët në vijim.
