Një 31-vjeçare nga Kosova është gjetur pa shenja jete në ambientet e një hoteli në zonën e Shkëmbit të Kavajës, në Durrës.
Sipas Policisë, viktima me iniciale J. H. qëndronte në këtë hotel prej muajit dhjetor 2025. Nga këqyrja paraprake e trupit nuk janë konstatuar dëmtime të jashtme që mund të kenë shkaktuar vdekjen.
Trupi i saj është dërguar për autopsi mjekoligjore, e cila pritet të përcaktojë shkakun e saktë të vdekjes.
Ndërkohë, Prokuroria ka nisur procedim penal ndaj dy administratorëve të hotelit, të moshave 38 dhe 34 vjeç. Nga veprimet e para hetimore dyshohet se ata nuk kanë lëshuar kupon tatimor për dhënien me qira të ambientit ku qëndronte 31-vjeçarja.
Hetimet vijojnë, ndërsa autoritetet presin rezultatet e ekspertizës mjekoligjore për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.
