Ralf Gjoni: Protestat kanë kaluar çështjen e Zvërnecit, Rama po përballet me revoltë të gjerë qytetare

Data

Ish-deputeti Ralf Gjoni ka deklaruar se protestat që po zhvillohen prej ditësh në Tiranë nuk mund të reduktohen vetëm te kundërshtimi i projektit turistik në Zvërnec apo te debatet që lidhen me familjen Trump.

Gjatë një debati televiziv, Gjoni u shpreh se protesta është shndërruar në një manifestim të gjerë të pakënaqësisë qytetare ndaj qeverisë dhe mënyrës së qeverisjes në vend.

Sipas tij, pakënaqësia e akumuluar ndër vite ndaj korrupsionit, arrogancës së pushtetit dhe skandaleve të shumta ka krijuar një situatë të re politike, e cila nuk mund të injorohet nga mazhoranca.

“Rama në fillim mendoi se do ta kishte nën kontroll këtë protestë, por tashmë ajo ka dalë jashtë çdo parashikimi. Kjo është shprehje e revoltës së një populli që ka toleruar për katër mandate një pushtet arrogant, të korruptuar dhe shpërfillës ndaj qytetarëve”, deklaroi Gjoni.

Ai shtoi se protestat nuk kanë si objektiv vetëm mbrojtjen e mjedisit, por përfaqësojnë një reagim më të gjerë kundër modelit aktual të qeverisjes.

Ish-deputeti vlerësoi karakterin qytetar dhe paqësor të tubimeve, duke theksuar se ato po zhvillohen me pjesëmarrjen e familjeve, të rinjve dhe qytetarëve të zakonshëm.

“Po shohim një protestë qytetare, me njerëz që kërkojnë të ardhme më të mirë për vendin. Nuk është një protestë militantësh, por një reagim i gjerë shoqëror”, u shpreh ai.

Duke folur për projektin e planifikuar në zonën e Zvërnecit dhe Sazanit, Gjoni ngriti pikëpyetje mbi procesin e konsultimit publik dhe transparencën e vendimmarrjes.

Ai kërkoi që qeveria të japë sqarime të plota për projektet strategjike dhe mënyrën se si po administrohen asetet publike.

Në fund të reagimit të tij, Gjoni bëri thirrje për një zgjidhje politike të situatës, duke propozuar dorëheqjen e kryeministrit, krijimin e një qeverie teknike dhe nisjen e një debati të gjerë për reformën zgjedhore.

“Shqipëria ka nevojë për një proces të ri politik, me rregulla të drejta loje dhe me një sistem zgjedhor që garanton përfaqësim real të qytetarëve”, përfundoi ai.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related