SPAK merr në pyetje kryebashkiakun e Gjirokastrës për aferën 620 mijë euro me rikonstruksionin e një shkolle

Data

Kryetari i Bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Golemi, është marrë në pyetje për rreth tre orë nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në kuadër të një hetimi për një skemë të dyshuar korrupsioni me tendera publikë.

Pas daljes nga ambientet e SPAK, Golemi deklaroi shkurtimisht se është thirrur në cilësinë e “personit në dijeni” për një çështje që lidhet me institucionin e bashkisë që ai drejton, pa dhënë detaje të mëtejshme.

Burime pranë hetimit bëjnë me dije se pyetja e kryebashkiakut lidhet me një tender me vlerë rreth 620 mijë euro për rikonstruksionin e shkollës 9-vjeçare “Urani Rumbo” në Gjirokastër. Tenderi, me fond limit rreth 780 mijë euro, është fituar nga dy kompani private, por dyshohet se punimet janë kryer nga punonjës të Bashkisë Gjirokastër dhe jo nga subjektet kontraktuese.

Sipas dyshimeve, kompanitë fituese kanë përfituar pagesën, ndërsa realizimi i punimeve është bërë nga bashkia, çka ngrit dyshime për një skemë abuzimi me fondet publike. Hetimet po fokusohen edhe në marrëdhëniet e mundshme mes kryebashkiakut dhe biznesmenëve përfitues të tenderit, të cilët më herët kanë marrë edhe kontrata të tjera publike nga bashkia.

SPAK po verifikon dokumentacionin e tenderit, zbatimin e kontratës dhe rolin e secilit funksionar apo subjekt privat të përfshirë në këtë proces.

Autoritetet theksojnë se hetimet janë në fazë paraprake dhe se çdo person gëzon prezumimin e pafajësisë deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related