Këlliçi: U zhbë një padrejtësi e madhe ndaj Berishës, slogani i ri do të jetë “Rama në burg, Berisha në Uashington”

Data

Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, mbajti një fjalim të ashpër në Kuvend, ku komentoi zhvillimet e fundit politike dhe raportimet për heqjen e kufizimeve amerikane ndaj kryetarit të PD-së, Sali Berisha.

Gjatë fjalës së tij, Këlliçi e cilësoi këtë zhvillim si fundin e një padrejtësie që, sipas tij, ka rënduar për vite mbi opozitën shqiptare dhe vetë Partinë Demokratike.

“Një padrejtësi e madhe, e lobuar nga Partia Socialiste dhe Edi Rama, u zhbë sot. Është një njollë që ka rënduar mbi politikën shqiptare, mbi opozitën dhe mbi Partinë Demokratike”, deklaroi ai.

Deputeti demokrat akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka përdorur të gjitha mjetet politike dhe lobuese për të dëmtuar opozitën, ndërsa kritikoi mazhorancën për mungesën e reagimit ndaj lajmeve që lidhen me statusin e Berishës.

Sipas Këlliçit, përfaqësuesit e mazhorancës duhet të kishin përshëndetur një zhvillim që, sipas tij, rehabiliton politikisht liderin historik të demokratëve.

Në vijim të fjalës së tij, ai kërkoi sqarime nga drejtuesit e Kuvendit lidhur me raportimet për një kërkesë të mundshme të Prokurorisë së Posaçme për heqjen e imunitetit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

“Qytetarët shqiptarë meritojnë të dinë nëse ka ardhur një kërkesë e re nga SPAK për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut dhe nëse ekziston një akuzë e re ndaj saj”, u shpreh Këlliçi.

Deputeti i PD-së ngriti gjithashtu pikëpyetje mbi rendin e ditës së seancës parlamentare, duke kritikuar mungesën e projektligjeve dhe duke pretenduar se kjo është bërë për të shmangur debatin mbi protestat që po zhvillohen prej ditësh në Tiranë.

Ai tha se protestat qytetare kanë nxjerrë në pah pakënaqësinë e një pjese të madhe të shoqërisë shqiptare ndaj qeverisë dhe se Kuvendi nuk mund të injorojë kërkesat e protestuesve.

Në fund të fjalës së tij, Këlliçi përdori një slogan politik për të përshkruar, sipas tij, zhvillimet e ardhshme në vend.

“Me dëmet që i keni shkaktuar Shqipërisë në këto 13 vite, ta keni të sigurt se shumë shpejt slogani do të jetë: Rama në burg, Berisha në Uashington”, deklaroi deputeti demokrat.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related