Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar ashpër ndaj opozitës gjatë seancës plenare të Kuvendit, duke deklaruar se projektet ligjore të paraqitura nga Partia Demokratike lidhur me çështjen e Zvërnecit do të rrëzohen nga mazhoranca.
Në fjalën e tij, Balla përdori ironi ndaj deputetëve opozitarë, duke i cilësuar si “flamingo nga TEMU”, ndërsa tha se opozita po përpiqet të përfitojë politikisht nga protestat e zhvilluara ditët e fundit kundër projektit turistik në Zvërnec.
“Ky ishte fiks një fjalim, një flamingo nga TEMU. Më pëlqen shumë që këto ditë ju, zogjtë e bufit, e ndieni veten si flamingo ose keni filluar të silleni si flamingo. Kush ju ka komanduar apo autorizuar, bëni zhurmë sa të doni, kapeni edhe protestën po të doni, por sa u përket katër projektligjeve që keni sjellë, ne jemi kundër”, deklaroi Balla.
Ai theksoi se shumica parlamentare nuk do t’i mbështesë nismat e opozitës, duke argumentuar se qeveria ka marrë mandat për të çuar përpara zhvillimin ekonomik të vendit.
“Katër projektligjet që keni sjellë do t’i rrëzojmë, sepse jemi votuar për ta zhvilluar Shqipërinë. Një javë më parë dolët dhe thatë se jeni pro investimit. Tani, cili është qëllimi i këtyre projektligjeve? Investimi do të bëhet. Shqipëria nuk e ka luksin të humbasë 4 miliardë euro investime”, u shpreh ai.
Duke folur edhe për procesin e integrimit evropian, Balla nënvizoi se vendi nuk ka kohë për të humbur dhe se prioritet mbetet avancimi drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
“Katër projektligjet tuaja do të rrëzohen, pavarësisht se kur do të shqyrtohen. Projekti në Zvërnec do të vazhdojë dhe Shqipëria do të ecë përpara drejt Bashkimit Evropian”, përfundoi kreu i grupit parlamentar socialist.
Debati për projektin e Zvërnecit ka dominuar ditët e fundit jetën politike në vend, duke nxitur protesta qytetare, përplasje mes mazhorancës dhe opozitës, si dhe diskutime mbi balancën mes zhvillimit ekonomik dhe mbrojtjes së mjedisit.
