Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u ka bërë thirrje qytetarëve të dalin në protestën e sotme para Kryeministrisë në Tiranë, duke e cilësuar atë si një moment për të kundërshtuar qeverinë.
Në mesazhin e tij, Berisha kujton Zgjedhjet e 22 marsit 1992 në Shqipëri, duke theksuar se kjo datë shënon lindjen e demokracisë dhe duhet të shërbejë sot si një thirrje për mbrojtjen e saj.
Ai akuzon kryeministrin Edi Rama për manipulim zgjedhor, korrupsion dhe lidhje me krimin, ndërsa kërkon mobilizim qytetar për largimin e tij nga pushteti.
“Mos pranoni mandatet e krimit… Sot le ta shndërrojmë këtë ditë në kryengritjen më të madhe paqësore,” – shprehet Berisha.
Protesta pritet të zhvillohet në orën 18:00, ndërsa opozita e konsideron atë një moment kyç për të shprehur pakënaqësinë ndaj qeverisjes dhe për të kërkuar ndryshim politik.
