Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka mbajtur një fjalim të ashpër në Kuvend, ku ka akuzuar qeverinë dhe klasën politike për shpërfillje të pakënaqësisë qytetare që, sipas tij, po manifestohet në protestat e zhvilluara ditët e fundit në Tiranë.
Gjatë ndërhyrjes së tij, Shehaj iu referua pjesëmarrjes së qytetarëve në protestë, duke argumentuar se demonstratat janë shenjë e humbjes së besimit ndaj institucioneve dhe përfaqësuesve politikë.
“Zbatoni ligjet dhe Kushtetutën. A i shihni njerëzit që kanë dalë në rrugë? Janë me dhjetëra mijëra qytetarë dhe ju vazhdoni t’i injoroni. Shqiptarët kanë dalë në shesh sepse ndihen të papërfaqësuar dhe të zhgënjyer nga politika”, deklaroi Shehaj.
Ai kritikoi reagimet e përfaqësuesve të mazhorancës ndaj protestuesve, duke i konsideruar ato si përçmuese dhe të papërshtatshme për situatën aktuale.
Në fjalën e tij, Shehaj ngriti edhe çështjen e legjitimitetit të institucioneve, duke argumentuar se Kuvendi ka humbur besimin e qytetarëve dhe se zgjidhja politike duhet të vijë përmes rikthimit te vota.
“Kur qytetarët ngrihen dhe protestojnë në këto përmasa, politika duhet t’i dëgjojë. Zgjidhja është që t’u kthehemi zgjedhjeve dhe t’u japim qytetarëve mundësinë të shprehen”, tha ai.
Deklaratat e Shehajt erdhën në një seancë parlamentare të dominuar nga debatet për protestat kundër projektit në Zvërnec, zhvillimet politike të ditëve të fundit dhe përplasjet mes mazhorancës dhe opozitës.
Protestat, të cilat nisën si kundërshtim ndaj projektit të zhvillimit turistik në zonën e Zvërnecit, janë shoqëruar me kërkesa më të gjera politike, përfshirë dorëheqjen e qeverisë dhe zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme.
