Euronews i kushton vëmendje protestave në Shqipëri: “Kur mungon transparenca, lindin dyshimet për korrupsion”

Data

Protestat që prej ditësh po mbahen në Shqipëri kundër projekteve të diskutueshme të zhvillimit në zonën e Zvërnecit dhe kundër mënyrës së qeverisjes kanë tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare. Së fundmi, rrjeti televiziv Euronews, me seli qendrore në Francë, i ka kushtuar një raportim të veçantë lëvizjes qytetare që po zhvillohet në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit.

Në artikullin e saj, media europiane thekson se mijëra qytetarë kanë dalë në rrugë për ditë me radhë, duke shprehur shqetësimet e tyre lidhur me mungesën e informacionit dhe transparencës mbi projektet e parashikuara në zonat bregdetare.

Një nga protestuesit e intervistuar nga Euronews deklaroi se qytetarët nuk kanë marrë sqarime të mjaftueshme mbi projektin e përfolur në Zvërnec, çka sipas tij ka krijuar mosbesim dhe dyshime në opinionin publik.

“Për këtë projekt nuk kemi informacion të plotë. Kur nuk ka transparencë, lindin dyshime për korrupsion. Qytetarët kanë të drejtë të dinë se çfarë po planifikohet dhe cilat do të jenë pasojat për mjedisin dhe komunitetin,” u shpreh ai për median europiane.

Euronews nënvizon se protestat kanë kaluar tashmë përtej një debati të thjeshtë mbi një investim të vetëm, duke reflektuar një pakënaqësi më të gjerë të një pjese të qytetarëve lidhur me mënyrën e vendimmarrjes publike, transparencën institucionale dhe llogaridhënien e qeverisë.

Raportimi i medias ndërkombëtare vjen në një moment kur zhvillimet në Shqipëri po ndiqen me interes edhe nga opinioni publik europian, ndërsa protestat vazhdojnë të mbeten në qendër të debatit politik dhe shoqëror në vend.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related