Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka kundërshtuar ashpër raportin për administratën publike të vitit 2025 gjatë mbledhjes së Komisionit të Ligjeve, duke e cilësuar atë si një dokument të shkëputur nga realiteti që po përjetojnë qytetarët shqiptarë.
Në fjalën e tij, Blushi deklaroi se raporti paraqet një panoramë ideale të administratës publike, ndërkohë që, sipas tij, pakënaqësia qytetare dhe protestat e vazhdueshme tregojnë një situatë krejt tjetër në terren.
“Po të ishte administrata kaq profesionale, kaq efikase dhe kaq funksionale sa paraqitet në raport, pyetja është e thjeshtë: pse mijëra qytetarë po protestojnë çdo ditë?”, u shpreh ai.
Blushi argumentoi se një nga arsyet kryesore të revoltës qytetare lidhet me mënyrën sesi, sipas tij, është transformuar administrata publike gjatë viteve të fundit. Ai akuzoi mazhorancën për politizim të institucioneve dhe për përdorimin e administratës në funksion të interesave partiake.
Duke iu referuar fenomenit të patronazhimit, ai tha se ky problem është evidentuar edhe në raportet e organizmave ndërkombëtarë, përfshirë raportet e OSBE/ODIHR dhe vlerësimet e Bashkimit Europian.
Në mënyrë simbolike, Blushi propozoi që mbledhja e Komisionit të Ligjeve të zhvillohej në bulevard, përballë qytetarëve që protestojnë, në mënyrë që, sipas tij, të dëgjohej drejtpërdrejt vlerësimi i publikut për administratën.
“Raporti më i saktë për administratën publike nuk është ai që kemi në tavolinë, por ai që po shkruhet çdo ditë në shesh nga qytetarët që protestojnë,” deklaroi ai.
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë paralajmëroi se pakënaqësia qytetare do të vazhdojë të rritet nëse nuk ka reflektim nga institucionet dhe qeveria, duke shtuar se protestat janë tregues i qartë i mosbesimit ndaj mënyrës së funksionimit të administratës dhe institucioneve publike.
Sipas Blushit, çdo debat mbi reformimin dhe eficiencën e administratës duhet të nisë nga përballja me realitetin dhe nga dëgjimi i shqetësimeve të qytetarëve.
