Rama nga Fieri: “Patriotizmi lidhet me të vërtetën, jo me ‘llajket’ në rrjetet sociale”

Data

Kryeministri Edi Rama komentoi sërish debatin publik mbi protestat dhe projektet e zhvillimit në zonat e mbrojtura, gjatë aktivitetit të organizuar në Fier me rastin e 35-vjetorit të Partisë Socialiste.

Në fjalën e tij, Rama u shpreh se patriotizmi nuk duhet të ngatërrohet me reagimet emocionale apo me popullaritetin në rrjetet sociale, por duhet të mbështetet mbi faktet dhe mbrojtjen e interesit të vendit.

“Patriotizmi nuk ka lidhje me ‘llajket’ apo me deklaratat e bujshme. Patriotizëm është të mbrosh të vërtetën dhe dinjitetin e vendit tënd, pa u mbështetur te gënjeshtrat apo te informacionet e pasakta”, deklaroi kryeministri.

Duke iu referuar debatit të ditëve të fundit, Rama kritikoi atë që e quajti përzierje të çështjeve mjedisore me narrativa politike dhe dezinformuese.

“Është e rëndësishme të ndahet ambientalizmi nga ekstremizmi dhe nga keqinformimi. Çështjet e mjedisit duhen trajtuar me seriozitet dhe mbi baza shkencore”, tha ai.

Kryeministri solli si shembull shpalljen e lumit Vjosa si park kombëtar, duke e cilësuar atë një sukses të rëndësishëm të politikave mjedisore të qeverisë. Ai argumentoi se Shqipëria duhet të gjejë një ekuilibër mes mbrojtjes së natyrës dhe zhvillimit ekonomik, veçanërisht në sektorin e turizmit.

“Jemi krenarë për mbrojtjen e Vjosës, por njëkohësisht vendi ka nevojë për zhvillim, investime dhe destinacione turistike konkurruese. Shqipëria nuk mund të mbetet jashtë proceseve të zhvillimit që kanë ndjekur vendet e tjera europiane”, u shpreh Rama.

Ai theksoi se investimet strategjike dhe zhvillimi i turizmit duhet të realizohen në përputhje me standardet mjedisore dhe interesin publik, duke argumentuar se këto projekte mund të kontribuojnë në rritjen e punësimit dhe të ardhurave.

Në fund të fjalës së tij, kryeministri komentoi edhe protestat që po zhvillohen në Tiranë, duke nënvizuar se debatet mbi zhvillimet në Zvërnec duhet të mbështeten në fakte dhe jo në interpretime politike.

Deklaratat e Ramës vijnë në një kohë kur protestat kundër projektit të planifikuar në Zvërnec kanë hyrë në javën e dytë, ndërsa debati mbi zhvillimin ekonomik, mbrojtjen e mjedisit dhe investimet strategjike vazhdon të dominojë diskutimin publik në vend.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related