Rama nga Fieri: “Është e padrejtë t’i kërkosh llogari PS-së për dëmtimin e mjedisit”

Data

Kryeministri Edi Rama komentoi sërish protestat që po zhvillohen prej dhjetë ditësh në Tiranë, duke mbrojtur bilancin e qeverisë në fushën e mjedisit dhe duke kundërshtuar akuzat e ngritura nga protestuesit lidhur me projektet e zhvillimit në zonat e mbrojtura.

Gjatë një takimi në Fier, Rama deklaroi se protesta ka marrë tashmë edhe ngjyresa politike, duke vënë në dukje praninë e përfaqësuesve të forcave të reja politike në tubime.

Sipas tij, është e padrejtë që përgjegjësia për problemet mjedisore t’i faturohet Partisë Socialiste, duke argumentuar se qeveria e drejtuar prej saj ka ndërmarrë masa të rëndësishme për mbrojtjen e natyrës dhe biodiversitetit.

“Është brutale t’i kërkosh llogari Partisë Socialiste për çështje që lidhen me dëmtimin e mjedisit, kur gjatë këtyre viteve janë ndërmarrë hapa konkretë për mbrojtjen e pasurive natyrore dhe përmirësimin e ekosistemeve”, u shpreh kryeministri.

Rama solli si shembull rritjen e popullatës së pelikanit kaçurrel në vend, duke argumentuar se kjo lidhet me ndalimin e gjuetisë dhe masat mbrojtëse të ndërmarra gjatë dekadës së fundit.

“Pelikani kaçurrel ka shtuar praninë e tij në Shqipëri sepse për dhjetë vite është ndaluar gjuetia. Kjo është e dokumentuar nga institucionet dhe organizatat që monitorojnë biodiversitetin”, deklaroi ai.

Kreu i qeverisë përmendi gjithashtu moratoriumin për pyjet, duke theksuar se ndërhyrja e shtetit ka ndihmuar në frenimin e prerjeve të paligjshme dhe rikuperimin e zonave pyjore që, sipas tij, më parë ishin të ekspozuara ndaj shfrytëzimit të pakontrolluar.

“Ka pasur zona ku dëgjoheshin vetëm sharrat dhe ku vepronin rrjete të tëra që përfitonin nga prerja e paligjshme e pyjeve. Ndërhyrja e qeverisë ka sjellë ndryshime të dukshme në këtë drejtim”, tha Rama.

Deklaratat e kryeministrit vijnë në një kohë kur protestat kundër projektit të planifikuar në zonën e Zvërnecit vijojnë të mbledhin qytetarë në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit, ndërsa debati mbi zhvillimin ekonomik dhe mbrojtjen e mjedisit mbetet në qendër të diskutimit publik.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related