Një grup taksistësh në Sarandë zhvilluan sot një protestë para godinës së Bashkisë, duke ngritur shqetësime për atë që e cilësojnë si ushtrim të paligjshëm të aktivitetit të transportit të udhëtarëve nga mjete të ardhura nga qytete të tjera.
Protestuesit paraqitën një kërkesë zyrtare drejtuar bashkisë, ku pretendojnë se automjete nga Tirana, Delvina, Finiqi dhe Konispoli po operojnë si taksi në territorin e Sarandës pa respektuar rregullat dhe kontrollet e nevojshme ligjore.
Sipas tyre, kjo situatë po krijon konkurrencë të pandershme dhe po dëmton të ardhurat e taksistëve të licencuar të qytetit, veçanërisht gjatë sezonit turistik, kur fluksi i vizitorëve është më i lartë.
Një tjetër problem i ngritur nga protestuesit lidhet me mungesën e hapësirave të dedikuara për parkimin e taksive të licencuara. Ata kërkojnë ndërhyrjen e institucioneve për të garantuar vende të përcaktuara që do t’u mundësojnë ushtrimin normal të aktivitetit.
Situata u tensionua kur një grup taksistësh kërkoi të hynte në ambientet e bashkisë për të zhvilluar një takim me kryetarin e institucionit, por fillimisht nuk u lejua. Kjo solli debate dhe përplasje verbale me punonjësit e sigurisë dhe policinë bashkiake të pranishme në vendngjarje.
Pas negociatave, një përfaqësi e protestuesve u prit në takim nga kryetari i Bashkisë së Sarandës, Oltion Çaçi, ku palët diskutuan shqetësimet e ngritura dhe mundësitë për adresimin e tyre përmes rrugëve institucionale.
Taksistët deklaruan se presin masa konkrete për garantimin e konkurrencës së ndershme dhe respektimin e ligjit nga të gjithë operatorët që ofrojnë shërbime transporti në qytet.
