Komisionerja Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, ka përgëzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për rezultatin në zgjedhjet parlamentare, duke vlerësuar njëkohësisht procesin zgjedhor si të qetë, gjithëpërfshirës dhe të rregullt.
Përmes një mesazhi të publikuar në platformën X, Kos theksoi se sfida e radhës për klasën politike kosovare është ndërtimi i stabilitetit institucional, një element që sipas saj mbetet vendimtar për avancimin e vendit në rrugën drejt integrimit evropian.
“Urime Albin Kurtit për fitoren e zgjedhjeve në Kosovë dhe, më e rëndësishmja, për procesin e qetë, gjithëpërfshirës dhe të rregullt të votimit”, shkroi komisionerja evropiane.
Ajo nënvizoi se forcat politike duhet të lënë mënjanë dallimet dhe të angazhohen në dialog për të gjetur kompromiset e nevojshme që do të garantonin funksionimin e institucioneve dhe vazhdimin e reformave.
Sipas Kos, vetëm përmes bashkëpunimit politik dhe stabilitetit institucional, Kosova mund të përshpejtojë procesin e afrimit me Bashkimi Evropian dhe të përfitojë maksimalisht nga programet mbështetëse të Brukselit.
Komisionerja evropiane shprehu gjithashtu gatishmërinë për të vizituar së shpejti Kosovën, me synimin për të vijuar punën mbi procesin e integrimit evropian dhe zbatimin e Planit të Rritjes, një instrument i rëndësishëm financiar i BE-së për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Mesazhi i saj vjen në një moment të rëndësishëm politik për Kosovën, ndërsa vendi pritet të nisë fazën e krijimit të institucioneve të reja pas zgjedhjeve parlamentare.
