Bill Gates ka pranuar se ka bërë “gabime të mëdha” në raport me lidhjet e tij me Jeffrey Epstein, por ka mohuar çdo përfshirje në veprime të paligjshme.
Sipas raportimeve, gjatë një takimi me stafin e fondacionit të tij bamirës, Gates foli hapur për marrëdhënien me financierin e ndjerë, duke theksuar: “Nuk bëra asgjë të paligjshme. Nuk pashë asgjë të paligjshme.”
Ai pranoi se ishte një gabim i madh që kishte mbajtur kontakte me Epstein dhe u kërkoi falje punonjësve për pasojat që kjo çështje ka sjellë në imazhin e fondacionit. Gates theksoi se nuk kishte qenë i përfshirë në aktivitete të paligjshme dhe se nuk kishte pasur kontakte me viktima.
Marrëdhënia mes tij dhe Epstein nisi në vitin 2011 dhe zgjati disa vite, pavarësisht faktit se Epstein ishte shpallur më parë fajtor për vepra penale. Gates ka deklaruar se nuk e kishte verifikuar siç duhet të kaluarën e tij dhe e konsideron këtë si një gabim serioz gjykimi.
Çështja është rikthyer në vëmendje pas publikimit të dokumenteve nga autoritetet amerikane. Megjithatë, deri më tani, Gates nuk është akuzuar për ndonjë shkelje ligjore në lidhje me këtë rast.
Ai themeloi fondacionin e tij filantropik së bashku me ish-bashkëshorten, Melinda French Gates, me të cilën u divorcua në vitin 2021 pas 27 vitesh martese.
