Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, ka komentuar protestat qytetare që po zhvillohen në vend, duke vlerësuar se dorëheqja e kryeministrit Edi Rama është një objektiv i arritshëm, por duke paralajmëruar njëkohësisht rrezikun që lëvizja të humbasë fokusin për shkak të populizmit dhe euforisë.
Në një reagim publik, Malaj u shpreh se qeveria aktuale është e konsumuar dhe se pakënaqësia qytetare po rritet, ndërsa theksoi se misioni kryesor i protestave duhet të jetë ndërtimi i një vizioni të ri për vendin, të cilin ai e përkufizon me konceptin “Shqipëria e Re”.
Sipas tij, protestat nuk duhet të kufizohen vetëm në kërkesa për largimin e kryeministrit, por duhet të shndërrohen në një lëvizje që ofron alternativa konkrete për reformimin e sistemit politik, ekonomik dhe social.
“Dorëheqja e Ramës është një objektiv plotësisht i realizueshëm, sepse qeveria e tij personale është e kalbur. Çdo gjë e kalbur bie. Por misioni i vetëm i kësaj proteste duhet të jetë Shqipëria e Re”, theksoi Malaj.
Ai bëri thirrje që ekspertë shqiptarë nga vendi dhe diaspora të angazhohen në hartimin e reformave të nevojshme, duke shfrytëzuar edhe mundësitë që ofron inteligjenca artificiale për krijimin e platformave dhe dokumenteve strategjike.
Malaj paralajmëroi gjithashtu protestuesit që të shmangin premtimet populiste dhe të nxjerrin mësime nga eksperienca të ngjashme ndërkombëtare, duke përmendur si shembull “Pranverën Arabe”, e cila rrëzoi regjime të fuqishme, por nuk arriti të ndërtojë alternativa të qëndrueshme qeverisëse.
Në fund të reagimit të tij, ai theksoi se lëvizja qytetare duhet të përgatitet për të qenë një alternativë reale politike, si në zgjedhjet vendore ashtu edhe në rast të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
“Shqiptarët presin nga kjo lëvizje një gjë të vetme: Shqipërinë e Re”, përfundoi Malaj.
