Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ushtruar të drejtën e votës këtë të diel në Fakultetin Juridik në Prishtinë, duke u bërë thirrje qytetarëve që të marrin pjesë masivisht në procesin zgjedhor.
Pas votimit, Kurti theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes së lartë në zgjedhje, duke e cilësuar atë si faktor kyç për forcimin e legjitimitetit të institucioneve dhe garantimin e stabilitetit politik në vend.
“Sot vendosin ata që votojnë”, deklaroi Kurti para mediave, ndërsa u kërkoi qytetarëve që paraprakisht të verifikojnë qendrën e tyre të votimit dhe të ushtrojnë të drejtën demokratike për të përcaktuar përbërjen e ardhshme të Kuvendit të Kosovës.
Sipas tij, sa më e madhe të jetë pjesëmarrja në votime, aq më i fortë do të jetë mandati i institucioneve që do të dalin nga këto zgjedhje.
“Sa më e lartë të jetë dalja e qytetarëve në zgjedhje, aq më i madh është legjitimiteti i institucioneve dhe aq më solid stabiliteti i tyre. Prandaj u bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës që të shfrytëzojnë këtë mundësi dhe të japin kontributin e tyre në procesin demokratik”, u shpreh Kurti.
Zgjedhjet e sotme konsiderohen të rëndësishme për formësimin e legjislaturës së 11-të të Kuvendit të Kosovës dhe për përcaktimin e drejtimit politik të vendit në vitet e ardhshme.
