Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar lidhur me protestat kundër projektit turistik në Zvërnec, duke publikuar në rrjetet sociale një fotografi të një automjeti me targa serbe të pranishëm në zonën ku po zhvilloheshin tubimet.
Përmes postimit të tij, Balla ngriti pikëpyetje mbi praninë e automjeteve me targa serbe në protestë, duke sugjeruar se ato mund të jenë përdorur për transportimin e pjesëmarrësve në tubim.
“Ja dhe ata që e ‘duan’ më shumë sesa ne Shqipërinë, i sollën protestuesit në Zvërnec. Po këto makinat me targa serbe dhe serbët pse duhet të jenë në protestë për Zvërnecin?”, shkroi Balla.
Deklarata e tij vjen në një kohë kur kundërshtimi ndaj projektit të resortit luksoz në Zvërnec ka hyrë në javën e dytë, me protesta të përditshme në Tiranë dhe aktivitete simbolike në vetë zonën e investimit.
Sot, dhjetëra qytetarë u mblodhën në plazhin e Dalanit në një protestë simbolike kundër projektit, ndërsa organizatorët kanë paralajmëruar vazhdimin e mobilizimit edhe në ditët në vijim.
Debati politik rreth protestave është intensifikuar ditët e fundit. Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se pas një pjese të fushatës kundër projektit qëndrojnë interesa të jashtme dhe faktorë që, sipas tij, nuk e shohin me sy të mirë zhvillimin turistik të Shqipërisë.
Ndërkohë, organizatorët e protestave dhe aktivistët mjedisorë kanë mohuar akuzat për ndikime të huaja, duke këmbëngulur se kundërshtimi i tyre lidhet me mbrojtjen e mjedisit, transparencën e procesit dhe ruajtjen e zonave të mbrojtura.
