Rama për protestuesit: “Ka njerëz që nuk kanë logjikë fare”, vijojnë përplasjet verbale për çështjen e Zvërnecit

Data

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj protestave të zhvilluara ditët e fundit kundër qeverisë dhe projektit të investimit në Zvërnec, duke përdorur një gjuhë të ashpër ndaj një pjese të protestuesve.

Gjatë aktivitetit të organizuar në Vlorë me rastin e 35-vjetorit të themelimit të Partisë Socialiste në qarkun e Vlorës, Rama u ndal te kundërshtimet ndaj projektit në Zvërnec dhe kërkesat për dorëheqjen e tij, duke deklaruar se nuk ka ndërmend të merret me persona që, sipas tij, nuk pranojnë argumentet dhe faktet e paraqitura nga qeveria.

“Nuk merremi me lloj-lloj njerëzish. Ka njerëz që nuk kanë logjikë fare, janë dërrasë nga truri”, u shpreh kreu i qeverisë gjatë fjalës së tij.

Deklarata vjen në një kohë kur protestat kundër projektit në Zvërnec kanë hyrë në ditën e gjashtë radhazi, ndërsa pjesëmarrësit kanë zgjeruar kërkesat e tyre duke kërkuar jo vetëm anulimin e investimit, por edhe dorëheqjen e qeverisë.

Nga ana tjetër, Rama ka mbrojtur vazhdimisht projektin, duke argumentuar se investimi do të sjellë zhvillim ekonomik dhe do të ketë ndikim pozitiv në sektorin e turizmit. Kryeministri ka deklaruar gjithashtu se qeveria nuk ka ndërmend të tërhiqet nga projekti dhe se investimi do të vijojë sipas procedurave ligjore.

Përplasjet mes qeverisë dhe protestuesve janë intensifikuar gjatë ditëve të fundit, ndërsa protesta janë zhvilluar jo vetëm në Tiranë, por edhe në Vlorë, Elbasan dhe qytete të tjera të vendit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related