Rama në Zvërnec: Nuk jam takuar kurrë me pronarët, çështjet e pronësisë i zgjidh vetëm gjykata

Data

Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me banorët e Zvërnecit, ku u përball me pyetje dhe shqetësime lidhur me pronësinë e tokave dhe debatin që ka shoqëruar projektet e propozuara për zonën.

Një prej qytetarëve i kujtoi deklaratat e mëparshme të kreut të qeverisë për pronat në Zvërnec, duke u shprehur se ishte ndjerë i lënduar nga pohimet se toka ishte “e trashëguar dem baba dem”, ndërsa theksoi se familja e tij prej 35 vitesh vijon betejën ligjore për njohjen e pronës.

Në përgjigjen e tij, Rama sqaroi se është keqkuptuar dhe se nuk ka deklaruar kurrë se prona është e trashëguar, por se është kthyer shumë vite më parë nga institucionet përkatëse. Ai theksoi se çdo pretendim për kthime të padrejta apo të gabuara mund të zgjidhet vetëm nga gjykata.

“Këtë nuk e vendos qeveria dhe as institucionet administrative. Vetëm gjykata mund të vendosë se kujt i takon prona,” u shpreh Rama.

Kryeministri deklaroi gjithashtu se nuk ka pasur asnjëherë kontakte me pronarët e tokave që janë përmendur publikisht në lidhje me projektin e Zvërnecit dhe se nuk ka dijeni për marrëveshjet e tyre me investitorët privatë.

Sipas tij, pjesa përballë ishullit të Sazanit është pronë private dhe marrëdhëniet mes pronarëve dhe investitorëve janë çështje që nuk lidhen me qeverinë. Rama theksoi se shteti nuk mund të ndërhyjë në vendimet që marrin pronarët për pasuritë e tyre, për sa kohë ato respektojnë ligjin.

Takimi në Zvërnec vjen në një moment kur debati mbi projektet e zhvillimit në zonë ka shkaktuar reagime të shumta publike dhe protesta nga aktivistë e qytetarë, të cilët kërkojnë më shumë transparencë dhe garanci për mbrojtjen e mjedisit dhe interesit publik.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related