Kryeministri Edi Rama deklaroi gjatë takimit me banorët e Zvërnecit se çështja e investimeve në zonë lidhet me marrëveshje mes investitorëve dhe pronarëve privatë, duke theksuar se shteti nuk ndërhyn në vendimmarrjet që kanë të bëjnë me prona private.
Gjatë bashkëbisedimit me qytetarët, Rama u shpreh se nuk ka takuar asnjëherë pronarët e tokave që janë përmendur publikisht në debatet për projektin në Zvërnec dhe se nuk ka dijeni mbi marrëveshjet që ata mund të kenë lidhur me investitorët.
“Unë nuk kam takuar kurrë asnjë nga pronarët që përfliten. Nuk kam asnjë dijeni se çfarë marrëveshjesh kanë bërë investitorët me pronarët privatë,” deklaroi kryeministri.
Ai sqaroi se situata e Sazanit dhe ajo e territorit përballë ishullit janë dy çështje të ndryshme. Sipas Ramës, Sazani është pjesë e negociatave dhe vendimmarrjeve që lidhen me shtetin shqiptar, ndërsa zonat private në Zvërnec janë në juridiksionin e pronarëve të ligjshëm.
“Pronarët privatë merren vesh privatisht me investitorët. Nuk e vendosin as qeveritë dhe as protestuesit. Për sa kohë bëhet fjalë për pronë private, vendimet u takojnë pronarëve dhe investitorëve,” tha ai.
Kryeministri shtoi se procedurat e institucioneve shtetërore bazohen në dokumentacionin zyrtar të pronësisë dhe verifikimet që kryhen në regjistrat hipotekorë. Sipas tij, çdo projekt apo plan zhvillimi shqyrtohet mbi bazën e dokumenteve të pronësisë dhe marrëveshjeve të paraqitura ligjërisht.
Rama theksoi se sa kohë një pronë është blerë apo zotërohet ligjërisht nga investitorët, ajo konsiderohet pasuri e tyre dhe trajtohet si e tillë nga institucionet përgjegjëse.
Deklaratat e kryeministrit vijnë në një kohë kur debati për projektin në Zvërnec vijon të shkaktojë reagime dhe protesta nga aktivistë dhe qytetarë që kërkojnë transparencë më të madhe mbi zhvillimet e planifikuara në zonë.
