Qeveria franceze ka hartuar një propozim për t’i dhënë fund konfliktit të ri në Liban, i cili parashikon edhe njohjen e Izraelit nga ana e Bejrutit.
Sipas burimeve të njohura me çështjen, qeveria libaneze e ka pranuar planin si bazë për nisjen e bisedimeve të paqes, për shkak të shqetësimeve se lufta mund të përshkallëzohet dhe të shkaktojë dëme të mëdha në vend.
Propozimi i Parisit parashikon që Izraeli dhe Libani të hapin negociata të drejtpërdrejta me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe Francës.
Bisedimet pritet të nisin në nivel diplomatik dhe më pas të kalojnë në nivel politik më të lartë, ndërsa zyrtarët francezë synojnë që takimet të zhvillohen në Paris.
Sipas planit, brenda një muaji mund të miratohet një “deklaratë politike”, e cila do të përfshijë njohjen fillestare të Izraelit nga Libani dhe angazhimin e Bejrutit për të respektuar sovranitetin dhe integritetin territorial të Izraelit.
Gjithashtu, të dy vendet do të riafirmojnë angazhimin e tyre ndaj Rezolutës 1701 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila i dha fund luftës së vitit 2006, si dhe marrëveshjes së armëpushimit të vitit 2024.
