SPAK zbardh rolin e Ema Çokut në dosjen Meta-Kryemadhi, dyshime për transferta dhe financime të padeklaruara

Data

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka evidentuar Ema Çokun si një nga personat kyç në rrjetin e transaksioneve financiare që lidhen me familjen Meta-Kryemadhi, ish-Lëvizjen Socialiste për Integrim (LSI) dhe biznesmenin shqiptaro-amerikan Adrian Shatku.

Sipas materialeve hetimore, Çoku rezulton e përfshirë në një sërë pagesash, transfertash bankare dhe deklarimesh noteriale, ndërsa në të njëjtën kohë figuron me kredi të shumta dhe detyrime financiare të konsiderueshme. Hetuesit po verifikojnë nëse këto lëvizje financiare janë përdorur për të mbuluar shpenzime politike apo për të fshehur burimin real të fondeve.

Në deklarimet e saj, Ema Çoku ka pranuar se ka kryer një pagesë prej 12 mijë dollarësh drejt kompanisë amerikane JPM Strategic Solution LLC, duke pretenduar se shërbimi kishte të bënte me këshillim financiar dhe menaxhimin e detyrimeve ndaj bankave. Megjithatë, SPAK thekson se kompania në fjalë lidhet edhe me aktivitete konsulence politike për LSI-në.

Dosja përmend gjithashtu pagesa të kryera për aktivitete të LRI-së, donacione për LSI-në, si dhe deklarime noteriale që lidhen me Monika Kryemadhin dhe familjarët e saj. Në një deklaratë të vitit 2019, Çoku ka pohuar se i ka transferuar Monika Kryemadhit 16 mijë euro dhe 1.5 milionë lekë për blerje të kryera me kartë bankare. Në një tjetër deklaratë noteriale të vitit 2024, ajo ka deklaruar se i kishte dhënë hua Fatime Kryemadhit shumën prej 220 mijë eurosh.

SPAK ngre pikëpyetje mbi burimin e këtyre fondeve, pasi nga dokumentacioni financiar rezulton se Çoku kishte një histori të gjatë kredish dhe borxhesh me banka dhe individë të ndryshëm.

Hetimi ka evidentuar edhe transferta të konsiderueshme në dollarë drejt Adrian Shatkut dhe kompanisë UNIFI Communications. Sipas dosjes, disa prej këtyre shumave janë depozituar cash në llogari bankare dhe më pas janë transferuar jashtë vendit. Në vitin 2013, Ema Çoku rezulton t’i ketë transferuar Adrian Shatkut 100 mijë dollarë, ndërsa transaksione të tjera janë kryer në vlera prej 35 mijë, 54 mijë dhe 30 mijë dollarësh.

Një tjetër element që po verifikohet nga SPAK janë pagesat për akomodime dhe aktivitete të lidhura me LRI-në dhe persona të huaj të përfshirë në konsulencë politike. Kompania B.S.K., në pronësi të Ema Çokut, ka mbuluar shpenzime të ndryshme për evente dhe qëndrime në hotel, përfshirë pagesa të kryera në emër të organizimeve politike.

Sipas SPAK, të gjitha këto veprime financiare krijojnë dyshime për ekzistencën e një skeme më të gjerë financimi dhe qarkullimi fondesh, ku përfshihen individë, kompani dhe struktura politike të lidhura me familjen Meta-Kryemadhi.

Hetimet vijojnë për të përcaktuar nëse këto transaksione përbëjnë elementë të pastrimit të parave, fshehjes së burimit të të ardhurave apo financimeve të padeklaruara politike.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related