Komiteti për Marrëdhëniet me Jashtë i Senatit amerikan ka miratuar me 19 vota pro dhe 3 kundër kandidaturën e Eric P. Wendt për postin e Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, duke e afruar atë me marrjen e detyrës në Tiranë.
Kandidatura e gjeneralit në pension, e propozuar nga administrata e presidentit Donald Trump, tashmë pritet të kalojë në votimin përfundimtar në Senatin amerikan. Nëse konfirmohet, Wendt do të marrë drejtimin e Ambasadës së SHBA në një moment të rëndësishëm për marrëdhëniet shqiptaro-amerikane, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Gjatë seancës dëgjimore në Senat, Wendt e konsideroi SPAK-un si një nga institucionet më të rëndësishme në Shqipëri, duke vlerësuar rezultatet e tij në bashkëpunim me agjencitë amerikane të drejtësisë dhe zbatimit të ligjit.
“SPAK ka qenë një organizatë e vlefshme, e pavarur dhe apolitike. Ai ka luajtur rol kyç në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, ndërsa bashkëpunimi me FBI-në, DEA-n dhe Departamentin Amerikan të Drejtësisë ka qenë i pandërprerë”, deklaroi Wendt.
Ai theksoi se do të mbështesë vazhdimin e funksionimit të SPAK-ut si institucion i pavarur dhe i papolitizuar, duke shtuar se puna e tij ndikon drejtpërdrejt edhe në përmirësimin e klimës së biznesit dhe investimeve amerikane në Shqipëri.
Sipas Wendt, prioritetet e mandatit të tij do të jenë forcimi i partneritetit strategjik SHBA–Shqipëri, lufta kundër korrupsionit, siguria kibernetike dhe rritja e investimeve amerikane.
Kush është Eric Wendt?
Gjeneral Lejtnant në pension Eric P. Wendt ka mbi 34 vite eksperiencë në Ushtrinë e Shteteve të Bashkuara dhe konsiderohet një nga ekspertët më të njohur të operacioneve speciale dhe sigurisë ndërkombëtare.
Ai ka shërbyer si komandant i Forcave Speciale të NATO-s në Evropë, duke mbikëqyrur edhe njësitë speciale shqiptare, ndërsa ka punuar ngushtë me strukturat e mbrojtjes dhe sigurisë në Shqipëri.
Më herët ka mbajtur detyrën e Koordinatorit Amerikan të Sigurisë për Izraelin dhe Autoritetin Palestinez, duke raportuar drejtpërdrejt te Sekretari Amerikan i Shtetit.
Wendt ka shërbyer gjithashtu në Afganistan si zëvendëskomandant rajonal dhe ka drejtuar organizata shumëkombëshe me mijëra efektivë ushtarakë dhe civilë.
Ai zotëron diploma nga Universiteti i Kalifornisë dhe Shkolla Pasuniversitare e Marinës Amerikane, ndërsa flet gjuhën arabe dhe koreane. Për kontributin e tij është dekoruar me disa nga medaljet më të larta ushtarake dhe civile të Shteteve të Bashkuara.
Nëse konfirmohet nga Senati, Eric Wendt do të bëhet ambasadori i parë i plotfuqishëm amerikan në Shqipëri pas largimit të Yuri Kim, duke marrë një rol kyç në mbështetjen e reformës në drejtësi, forcimin e institucioneve dhe luftën kundër korrupsionit në vend.
