Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, gjatë vizitës së tij në Beograd në kuadër të turit ballkanik, i ka përsëritur presidentit serb Aleksandar Vuçiç tre prioritetet kryesore që Serbia duhet të përmbushë për të avancuar në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Në konferencën e përbashkët për shtyp pas takimit, Costa theksoi se progresi i Serbisë drejt BE-së lidhet ngushtë me marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe veçanërisht me normalizimin e raporteve me Kosovën. Sipas tij, dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës, si dhe zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit, mbeten elemente thelbësore për rrugën evropiane të vendit.
Presidenti i Këshillit Evropian nënvizoi gjithashtu rëndësinë e harmonizimit të politikës së jashtme dhe të sigurisë së Serbisë me atë të Bashkimit Evropian, duke kërkuar hapa konkretë në këtë drejtim.
Një tjetër pikë e rëndësishme e ngritur nga Costa ishte nevoja për thellimin e reformave demokratike. Ai bëri thirrje për forcimin e sundimit të ligjit, zbatimin e rekomandimeve të Komisionit të Venecias, garantimin e lirisë së medias dhe përmirësimin e kuadrit zgjedhor në përputhje me rekomandimet e ODIHR-it.
“Zgjerimi i Bashkimit Evropian ndërtohet mbi besimin. Rruga mund të jetë e vështirë, por drejtimi është i qartë. Marrëdhëniet e mira fqinjësore, dialogu me Prishtinën, harmonizimi me politikat e BE-së dhe reformat demokratike janë kyçe për përparimin e Serbisë”, deklaroi Costa.
Vizita e tij në Beograd vjen në një moment kur Bashkimi Evropian po intensifikon përpjekjet për të përshpejtuar procesin e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke kushtëzuar avancimin me përmbushjen e reformave dhe angazhimin për stabilitet rajonal.
