Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar në emisionin Studio24, deklaroi se SPAK ka në hetim disa dosje shumë të rënda, të cilat pritet të sjellin zhvillime të forta në skenën politike dhe institucionale të vendit.
Sipas saj, çështja e 21 janarit ende kërkon përgjegjësi, por paralelisht po hetohen afera madhore. Lala përmendi dosjen “McGonigal”, e cila, sipas saj, prek drejtpërdrejt marrëdhëniet Shqipëri–SHBA dhe nxjerr në pah mënyrën se si funksionon administrata në prapaskenë.
Një tjetër dosje me peshë lidhet me Belinda Ballukun, ku hetimet përfshijnë paracaktimin e tenderëve dhe dyshime për abuzime të tjera serioze. Gazetarja bëri me dije se SPAK ka kryer kontrolle ndaj disa biznesmenëve për të siguruar prova të reja, të cilat mund të çojnë në implikime të tjera.
Lala u ndal edhe te fondet IPARD të Bashkimit Evropian, duke e cilësuar këtë hetim si një alarm të fortë nga BE-ja dhe një nga çështjet më serioze që po trajtohen aktualisht nga SPAK.
Sipas saj, dosja e AKSHI-t përbën “hapjen e kutisë së Pandorës” dhe mund të shkaktojë tronditje të mëdha në qeveri, për shkak të mënyrës se si dyshohet se ka funksionuar sistemi. Ajo theksoi se hetimet kanë zbuluar edhe episode të rënda kriminale, përfshirë rrëmbimin e një biznesmeni, i cili dyshohet se është mbajtur peng dhe është detyruar të tërhiqet nga tenderët nga persona të maskuar si policë.
Në përfundim, Klodiana Lala u shpreh se këto dosje janë ndër më të rëndat që SPAK po heton dhe se “laku po shtrëngohet”, ndërsa zhvillimet e ardhshme pritet të kenë ndikim të thellë në politikë dhe institucione.
