Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ishte në Strasburg, ku gjithashtu ka marrë takim edhe me Kryetarin e Komisionit të Jashtëm në Parlamentin Europian, David McAllister. Deputetët Gazment Bardhi, Flamur Noka, Jorida Tabaku, Agron Gjekmarkaj dhe Albana Vokshi, ishin të pranishëm në këtë takim, teksa i kanë shprehur zyrtarit të lartë të Parlamentit Europian, të gjitha shqetësimet mbi situatën politike në Shqipëri. Lajmi është bërë i ditur nga një njoftim për shtyp i Grupit Parlamentar, ku ndër të tjerat shkruhet se zyrtari i lartë europian i ka uruar mirëseardhjen në familjen e EPP. Edhe kreu i grupit të PD, Gazmend Bardhi, reagoi me një postim në rrjetin social, Facebook, ku dha detaje për informimin ndaj përfaqësuesit të lartë të KE.
“David McAllister, Kryetar i Komisionit të Jashtëm në Parlamentin Europian, është një mik i Shqipërisë dhe të ardhmes së saj europiane. Një zë i fuqishëm jo vetëm në Parlamentin Europian, por edhe në Partinë Popullore Europiane (EPP). “Ëelcome back to your family” ishte mesazhi i mirëseardhjes së tij për përfaqësuesit e grupit parlamentar të PD, duke iu referuar ripranimit të PD-së me të drejta të plota në EPP. Garancitë për zgjedhje të lira, barazia e palëve në zgjedhje, shteti ligjor dhe balanca mes pushteteve, lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, shkëputja e menjëhershme e lidhjeve mes qeverisjes dhe krimit të organizuar, respektimi i Kushtetutës dhe hapësirës së opozitës, janë sfidat që Shqipëria ka përpara dhe që vënë në rrezik serioz demokracinë në vend. Informimi me fakte e prova për situatën e rëndë që po kalon Shqipëria, do të ndihmojë në daljen nga rruga e errët e autoritarizmit ku e ka futur Edi Rama vendin.
