Përplasje në Kuvend për ekonominë dhe pensionet, Ibrahimaj i përgjigjet Bozdos: Shqipëria e vitit 2013 ishte në ditën më të zezë

Data

Debate të forta janë zhvilluar në Kuvend mes ministrës së Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, dhe deputetit demokrat Eno Bozdo lidhur me situatën ekonomike në vend, nivelin e pensioneve dhe ecurinë e reformave.

Gjatë fjalës së saj, ministrja Ibrahimaj theksoi se Bashkimi Europian ka krijuar një mekanizëm të veçantë financimi për vendet kandidate, të njohur si “Growth Plan”, i cili lidhet me zbatimin e reformave dhe mbështetjen për zhvillimin ekonomik.

Ajo pranoi se pensionet në Shqipëri mbeten të ulëta, por nënvizoi se qeveria po punon për përmirësimin e skemës dhe rritjen e të ardhurave për pensionistët.

“Ne nuk e mohojmë që kemi ende shumë për të bërë për të arritur standardet e ekonomive europiane. Për këtë arsye Bashkimi Europian ka krijuar instrumente të posaçme mbështetëse për vendet kandidate. Sa i përket pensioneve, jemi të vetëdijshëm që ato janë ende të ulëta dhe po punojmë për përmirësimin e skemës,” u shpreh Ibrahimaj.

Nga ana tjetër, deputeti demokrat Eno Bozdo kritikoi ashpër qeverinë, duke deklaruar se varfëria është rritur dhe se Shqipëria ka mbetur pas vendeve të tjera të rajonit.

Sipas tij, dështimi i reformave strukturore, problemet me skemën e pensioneve, korrupsioni dhe informaliteti kanë ndikuar negativisht në zhvillimin ekonomik të vendit.

“Këtu varfëria relativisht është rritur. Të ardhurat për frymë mbeten ndër më të ulëtat në rajon. Shqipëria është boshatisur dhe reformat e thella strukturore kanë dështuar. Korrupsioni dhe informaliteti po bëjnë kërdinë,” deklaroi Bozdo.

Në replikën e saj, ministrja Ibrahimaj kundërshtoi akuzat e opozitës, duke theksuar se treguesit ekonomikë kanë shënuar përmirësim krahasuar me vitin 2013, periudhë që sipas saj përfaqësonte momentin më të vështirë për ekonominë shqiptare.

“Varfëria ka rënë dhe numri i kontribuuesve është rritur. Skema e pensioneve ishte në gjendjen më të keqe gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike. Në vitin 2013 rritja ekonomike ishte vetëm 1 për qind dhe ekonomia shqiptare ishte në ditën e saj më të zezë,” deklaroi ministrja.

Debati mes palëve u fokusua kryesisht te niveli i mirëqenies së qytetarëve, pensionet dhe performanca ekonomike e vendit gjatë viteve të fundit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related