Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se anëtarësimi i Kosovës në NATO nuk ndodhet aktualisht në krye të agjendës së aleancës, megjithëse theksoi se kjo nuk përjashton mundësinë që një gjë e tillë të ndodhë në të ardhmen.
Komentet e tij u bënë gjatë një seance dëgjimore në Komitetin për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara, ku iu përgjigj pyetjeve të kryetarit të Nënkomitetit për Evropën, Keith Self.
Gjatë diskutimit, kongresmeni Self vuri në dukje se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë mbeten një çështje e pazgjidhur dhe kërkoi angazhimin e Uashingtonit për të bindur vendet anëtare të NATO-s që ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.
Në përgjigjen e tij, Rubio tha se NATO aktualisht është e përqendruar në prioritete të tjera, duke lënë të kuptohet se procesi i integrimit të Kosovës në aleancë nuk është një temë që po trajtohet me urgjencë nga partnerët euroatlantikë.
Kosova vazhdon të synojë anëtarësimin në NATO dhe Bashkimin Evropian, por mosnjohja e pavarësisë së saj nga disa shtete anëtare mbetet një pengesë e rëndësishme në rrugën e integrimit ndërkombëtar.
Gjatë seancës u diskutua gjithashtu edhe për zhvillimet në Bosnje dhe Hercegovinë. Rubio shprehu mbështetjen e tij për diplomatin italian Antonio Zanardi si pasues të mundshëm të Christian Schmidt në postin e Përfaqësuesit të Lartë ndërkombëtar për Bosnje-Hercegovinën.
