Ministri i Brendshëm, Besfor Lamallari, ka reaguar pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në Maliq, ku humbi jetën në krye të detyrës efektivi i Forcës së Posaçme “Shqiponja”, Enea Mekolli, ndërsa u plagos kolegu i tij Edison Adri gjatë një operacioni policor për kapjen e një personi të shumëkërkuar.
Përmes një reagimi publik, Lamallari dënoi me forcë sulmin ndaj efektivëve të Policisë së Shtetit, duke e cilësuar atë si një akt kriminal që godet jo vetëm uniformat blu, por edhe rendin, ligjin dhe sigurinë e qytetarëve.
Ministri siguroi se autori i ngjarjes do të përballet me të gjithë forcën e ligjit dhe nuk do të ketë asnjë mundësi t’i shpëtojë drejtësisë.
“Sot një familje humbi njeriun e saj të dashur, Policia e Shtetit humbi një koleg, Shqipëria humbi një shërbëtor të përkushtuar të ligjit. Dënoj me forcën më të madhe këtë akt kriminal të rëndë në Maliq, një sulm jo vetëm ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit, por ndaj vetë rendit, ligjit dhe sigurisë së qytetarëve”, u shpreh Lamallari.
Ai shprehu ngushëllimet për familjen, të afërmit dhe kolegët e efektivit të ndjerë Enea Mekolli, duke theksuar se sakrifica e tij në krye të detyrës do të kujtohet me respekt dhe mirënjohje. Gjithashtu, ministri i uroi shërim të shpejtë efektivit të plagosur, Edison Adri.
“Sakrifica e Enea Mekollit nuk na ndal, por na forcon në betejën kundër krimit. Nderimi më i madh për të është të vijojmë detyrën me të njëjtin guxim, përkushtim dhe integritet që ai tregoi deri në fund”, theksoi Lamallari.
Ngjarja e rëndë ndodhi gjatë një operacioni policor në zonën e Lozhanit, ku personi i shumëkërkuar hapi zjarr ndaj forcave të rendit, duke shkaktuar viktimën dhe plagosjen e një efektivi tjetër, përpara se të neutralizohej dhe arrestohej nga policia.
