Policia e Shtetit ka dhënë detaje zyrtare mbi ngjarjen e rëndë të ndodhur mëngjesin e së enjtes në zonën e Lozhanit, në Maliq, ku humbi jetën në krye të detyrës efektivi i Forcës së Posaçme “Shqiponja”, Enea Mekolli, ndërsa mbeti i plagosur kolegu i tij, Edison Adri.
Sipas policisë, operacioni ishte organizuar për kapjen e 43-vjeçarit Violand Braçellari, një person me rrezikshmëri të lartë, i shpallur në kërkim prej vitesh. Forcat e rendit kishin siguruar informacione se ai fshihej në një stan në malin Boden, në zonën e Lozhanit.
Rreth orës 07:30, efektivët kanë rrethuar vendin ku dyshohej se ndodhej Braçellari dhe i kanë bërë thirrje të dorëzohej. Megjithatë, ai nuk iu bind urdhrit të policisë dhe hapi zjarr ndaj forcave të rendit.
Si pasojë e shkëmbimit të zjarrit, humbi jetën inspektori Enea Mekolli, 34 vjeç, ndërsa u plagos inspektori Edison Adri, 36 vjeç, të dy pjesë e Forcës së Posaçme “Shqiponja” në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë.
Për neutralizimin e sulmit, efektivët iu kundërpërgjigjën me armë zjarri, duke plagosur dhe arrestuar autorin e dyshuar, Violand Braçellarin.
Sipas të dhënave zyrtare, Braçellari ishte dënuar në vitin 2017 me 9 vjet, 11 muaj e 7 ditë burg për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, ndërsa që prej vitit 2011 ndaj tij ishte caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg” për “Kultivim të bimëve narkotike”.
Në vendngjarje janë angazhuar grupet hetimore, nën drejtimin e Prokurorisë dhe në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore (AMP), për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
