Kompania “Mabco Constructions S.A.”, në pronësi të biznesmenit Behgjet Pacolli, ka reaguar sërish lidhur me konfliktin për administrimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, duke akuzuar institucionet shtetërore për moszbatim të vendimit të Gjykatës së Lartë.
Reagimi erdhi pasi ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, deklaroi se palëve u është lënë një afat 30-ditor për të zgjidhur mosmarrëveshjen mes aksionarëve të projektit.
Sipas “Mabco”, problemi kryesor nuk është konflikti mes ortakëve, por fakti që vendimi përfundimtar i Gjykatës së Lartë, i cili i njeh kompanisë të drejtën e administrimit të projektit, ende nuk është zbatuar në praktikë.
Kompania thekson se ka investuar mbi 90 milionë euro në aeroportin e Vlorës, ndërsa ekspozimi financiar total kalon 150 milionë euro. Gjithashtu, janë vendosur garanci bankare me vlerë mbi 70 milionë euro për realizimin e projektit.
Në deklaratë thuhet se kantieri vijon të mbetet i bllokuar dhe përfaqësuesit e kompanisë nuk lejohen të ushtrojnë aktivitetin normal, pavarësisht vendimit të Gjykatës së Lartë.
“Mabco” kërkon nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë të ndërhyjë për zbatimin e vendimit gjyqësor, zhbllokimin e kantierit dhe krijimin e një grupi pune që do të mundësojë rifillimin e punimeve në aeroport.
Kompania nënvizon se mbetet e angazhuar për përfundimin e projektit sapo të rikthehen kushtet normale të operimit dhe paralajmëron se rezervon të drejtën për të ndjekur të gjitha rrugët ligjore vendase dhe ndërkombëtare për mbrojtjen e investimit të saj.
