Trump konfirmon përplasjen me Netanyahun: “I thashë se ishte i çmendur, por vazhdojmë të bashkëpunojmë”

Data

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka konfirmuar se gjatë një bisede telefonike me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu përdori tone të ashpra, duke e quajtur atë “të çmendur”, për shkak të shqetësimeve mbi përshkallëzimin e konfliktit në Lindjen e Mesme.

Në një intervistë për podkastin “Pod Force One” të gazetës “New York Post”, Trump pranoi tensionin gjatë komunikimit me Netanyahun, por theksoi se marrëdhëniet mes tyre mbeten të mira dhe bashkëpunimi vazhdon.

“Isha pak i shqetësuar nga luftimet e vazhdueshme me Libanin”, deklaroi Trump, duke shtuar se situata mund të dëmtojë përpjekjet diplomatike për arritjen e një marrëveshjeje mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit.

Megjithatë, presidenti amerikan nënvizoi se ka respekt për kryeministrin izraelit.

“Më pëlqen shumë Bibi dhe bashkëpunoj shumë mirë me të. Kemi punuar gjithmonë mirë së bashku”, tha Trump.

Ai e cilësoi veten si “një president në kohë lufte”, ndërsa Netanyahun si “një kryeministër në kohë lufte”, duke argumentuar se vendimet e vështira shpesh sjellin tensione edhe mes aleatëve.

Trump u shpreh optimist për ecurinë e bisedimeve me Iranin dhe tha se është i bindur se kriza mund të zgjidhet në një afat relativisht të shkurtër. Ai përsëriti gjithashtu pretendimin se Teherani do të heqë dorë nga ambiciet për armë bërthamore.

Presidenti amerikan minimizoi shqetësimet për ndikimin e konfliktit në tregjet energjetike, duke theksuar se çmimet aktuale të naftës mbeten të menaxhueshme krahasuar me rrezikun që, sipas tij, do të përbënte një Iran me armë bërthamore.

Raportimet për gjuhën e ashpër të përdorur nga Trump ndaj Netanyahut u publikuan fillimisht nga Axios dhe ngjallën reagime të shumta në SHBA dhe Izrael. Pavarësisht kësaj, Trump insistoi se marrëdhëniet mes dy liderëve mbeten të forta dhe se koordinimi strategjik vazhdon.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related