SPAK jep pretencën për dosjen Veliaj, kërkohen dënime me burg dhe gjoba për 11 të pandehurit

Data

Një tjetër zhvillim i rëndësishëm është shënuar në dosjen që lidhet me hetimet ndaj ish-kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Gjatë seancës së zhvilluar këtë të martë në Gjykatën e Posaçme, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka paraqitur pretencën për 11 të pandehurit që kanë kërkuar gjykim të shkurtuar, duke kërkuar dënime me burg, gjoba financiare dhe masa plotësuese ndaluese.

Sipas pretencës së paraqitur nga SPAK, për biznesmenin Fatmir Bektashi është kërkuar dënimi me 1 vit burg, i reduktuar në 8 muaj për shkak të gjykimit të shkurtuar, si dhe pezullimi nga ushtrimi i funksioneve me interes publik. Ndërkohë, për kompaninë “Kontalt shpk” është kërkuar një gjobë prej 583 mijë lekësh.

Prokuroria ka kërkuar gjithashtu 7 vite burg për Ina Goxhajn dhe Elman Abulen, të reduktuara në 4 vite e 8 muaj secili. Për Goxhajn është kërkuar edhe vendosja në shërbim prove për një periudhë pesëvjeçare. Për Frosina Bollon është kërkuar 1 vit burg, i reduktuar në 8 muaj, ndërsa për organizatën “Frobolus” është kërkuar gjobë prej 500 mijë lekësh, e cila zbret në 333 mijë lekë pas aplikimit të uljes për gjykimin e shkurtuar.

Një nga emrat më të përfolur të kësaj dosjeje, Adela Kondakçiu, përballet me një kërkesë për 7 vite burgim, që reduktohet në 4 vite e 8 muaj. Ndërsa për deputeten Klotilda Bushka është kërkuar gjobë prej 600 mijë lekësh, e reduktuar në 400 mijë lekë. Edhe Flutura Xhani përballet me një gjobë prej 60 mijë lekësh, e cila zbret në 40 mijë lekë.

Për Fatjon Baçin, SPAK ka kërkuar 5 vite burgim, të reduktuara në 3 vite e 4 muaj, me pezullim të ekzekutimit të dënimit dhe vendosje në shërbim prove.

Dosja konsiderohet një nga proceset më të rëndësishme të muajve të fundit, ndërsa pritet që pas përfundimit të pretencës, mbrojtja e të pandehurve të paraqesë konkluzionet e saj përpara se gjykata të tërhiqet për vendimmarrje. Zhvillimet e ardhshme pritet të hedhin më shumë dritë mbi një çështje që ka tërhequr vëmendjen e opinionit publik dhe politikës shqiptare.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related