Shtëpia e Bardhë ka njoftuar nominimin e ambasadorëve të rinj amerikanë për Bosnjë dhe Hercegovinë, Serbi dhe Mal i Zi, në kuadër të procesit të emërimeve diplomatike të administratës amerikane.
Sipas dekretit të publikuar më 1 qershor, për Bosnjë-Hercegovinën është nominuar Ronald Johnson, gjeneral brigade në pension i Korpusit të Marinsave të SHBA-së.
Për Serbinë është propozuar Michael Young, i cili ka mbajtur më parë poste të rëndësishme në Departamentin Amerikan të Shtetit gjatë administratës së presidentit George H. W. Bush.
Ndërsa për Malin e Zi është nominuar Peter McCoy, me përvojë si prokuror federal dhe ish-prokuror i Distriktit të Karolinës së Jugut.
Nominimet duhet të kalojnë tashmë procedurën kushtetuese amerikane, e cila kërkon shqyrtimin dhe miratimin nga Senati i SHBA-së përpara se presidenti të bëjë emërimin përfundimtar.
Në të njëjtën kohë, administrata amerikane ka avancuar edhe procesin për emërimin e ambasadorit të ri në Shqipëri. I nominuari, Eric Wendt, është paraqitur së fundmi përpara Komitetit për Marrëdhëniet me Jashtë të Senatit, ku ka prezantuar prioritetet e tij diplomatike.
Sa i përket Kosovë, ende nuk është shpallur një kandidat i ri për ambasador. Aktualisht, Ambasada Amerikane në Prishtinë drejtohet nga e ngarkuara me punë Anu Prattipati, pas përfundimit të mandatit të ish-ambasadorit Jeff Hovenier në fund të vitit 2024.
Përveç Ballkanit, administrata amerikane ka propozuar ambasadorë të rinj edhe për disa vende të tjera, përfshirë Bullgari, Moldavi, Brazil, Egjipt dhe Kolumbi.
Sistemi amerikan parashikon që ambasadorët të mos marrin detyrën menjëherë pas nominimit presidencial, por vetëm pasi kandidaturat e tyre të kalojnë procesin e verifikimit dhe votimit në Senat, një procedurë që mund të zgjasë disa javë ose muaj.
