Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se qeveria nuk ka ndërmend të tërhiqet nga projekti turistik në Zvërnec, pavarësisht protestave të zhvilluara gjatë ditëve të fundit kundër investimit.
Gjatë një konference të përbashkët për shtyp me Antonio Costa, Rama u pyet nëse ekzekutivi do të rishqyrtonte projektin në rast të vazhdimit të protestave qytetare.
“Nuk ka asnjë shans që investimi të ndalojë sa kohë unë jam këtu”, deklaroi kreu i qeverisë, duke shtuar se mbetet i hapur për të dëgjuar çdo pretendim apo shqetësim të ngritur nga qytetarët dhe palët e interesuara.
Rama komentoi gjithashtu hetimet e nisura nga SPAK lidhur me origjinën e pronave të përfshira në projekt, duke e cilësuar pozitiv faktin që organi i akuzës po verifikon pretendimet e ngritura.
Sipas tij, duhet bërë dallimi mes hetimit të ligjshmërisë së pronës dhe statusit të investitorëve që kanë blerë tokat.
“E konsideroj pozitive që SPAK të hetojë origjinën e kësaj prone. Madje e inkurajoj këtë hetim”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se investitorët aktualë kanë kryer transaksionet në përputhje me legjislacionin shqiptar dhe se, sipas tij, bëhet fjalë për investitorë me reputacion ndërkombëtar.
Ai shtoi se nëse hetimet do të provojnë se prona u përket personave të tjerë, atëherë përfitimet financiare nga shitja duhet t’u kalojnë pronarëve legjitimë, ndërsa përgjegjësitë do të bien mbi këdo që mund të ketë mashtruar gjatë procesit.
“Investitorët janë në të drejtën e tyre. Nëse hetimi nxjerr një tjetër origjinë të pronës, atëherë ata që kanë të drejtë mbi të do të marrin përfitimet që u takojnë”, u shpreh Rama.
Projekti në Zvërnec ka shkaktuar debat të fortë publik dhe protesta të vazhdueshme, ku kundërshtarët e tij argumentojnë se ndërhyrja prek një zonë me rëndësi mjedisore dhe ngre pikëpyetje mbi çështjet e pronësisë. Nga ana tjetër, qeveria e konsideron investimin si një projekt strategjik me ndikim të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik dhe turistik të vendit.
