Kryeministri Edi Rama ka përsëritur qëndrimin e tij se projekti turistik në Zvërnec do të vijojë, pavarësisht protestave dhe kundërshtimeve publike që janë zhvilluar ditët e fundit.
Gjatë një konference për shtyp, Rama argumentoi se investimet në turizmin e luksit sjellin përfitime të mëdha ekonomike për komunitetet lokale dhe ekonominë kombëtare, duke marrë si shembuj modele zhvillimi në rajon dhe në vende të tjera mesdhetare.
Ai përmendi rastin e resortit Costa Navarino në Greqi, duke theksuar se edhe pse nuk frekuentohet nga shumica e qytetarëve grekë, të ardhurat që gjeneron ndikojnë pozitivisht në ekonominë e vendit dhe në punësim.
Sipas Ramës, turizmi me vlerë të lartë të shtuar krijon më shumë të ardhura për bizneset lokale dhe për buxhetin e shtetit sesa turizmi masiv me kosto të ulët.
“Kjo teori, ‘ndalu ti se jemi ne’, me mua nuk ka funksionuar dhe nuk do të funksionojë sa kohë jam këtu”, deklaroi kryeministri, duke iu referuar thirrjeve për të ndalur projektin.
Rama shtoi se mbetet i gatshëm për dialog dhe diskutim me çdo grup apo individ që ka pretendime apo shqetësime lidhur me investimin, por nënvizoi se vendimmarrja nuk do të bazohet te presioni i protestave.
Ai komentoi edhe sloganet e dëgjuara gjatë protestave, duke theksuar se në një demokraci vendimmarrja politike matet përmes zgjedhjeve.
“Populli është ai që flet ditën e zgjedhjeve”, u shpreh Rama.
Debati mbi projektin në Zvërnec ka polarizuar opinionin publik. Kundërshtarët argumentojnë se investimi prek një zonë me rëndësi mjedisore dhe ngre shqetësime për pronësinë e tokave, ndërsa qeveria e konsideron projektin një mundësi strategjike për zhvillimin ekonomik dhe turistik të Shqipërisë.
