Një aksident i rëndë rrugor i ndodhur në orët e para të mëngjesit në Lushnjë i ka marrë jetën 43-vjeçarit Ernis Xhumari.
Sipas informacioneve paraprake, automjeti tip “Benz” që drejtohej nga Xhumari po lëvizte me shpejtësi të lartë kur drejtuesi humbi kontrollin e mjetit në rrethrrotullimin e Plasmasit. Automjeti goditi fillimisht bordurën e rrethrrotullimit dhe më pas u përplas me një shtyllë ndriçimi, duke përfunduar dhjetëra metra larg vendit të përplasjes.
Si pasojë e goditjes së fortë, 43-vjeçari humbi jetën në vendngjarje.
Menjëherë pas aksidentit, në vendngjarje mbërritën shërbimet e Policisë Rrugore dhe forcat zjarrfikëse, të cilat kryen veprimet e nevojshme dhe pastruan rrugën nga mbetjet e automjetit.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve që çuan në aksidentin tragjik.
