Mbi 26.600 maturantë në të gjithë Shqipërinë i nënshtrohen sot provimit të parë të Maturës Shtetërore 2026, atij të Gjuhës së Huaj, duke shënuar nisjen zyrtare të procesit më të rëndësishëm të vlerësimit për përfundimin e arsimit të mesëm.
Provimet do të vijojnë më 9 qershor me Gjuhën Shqipe dhe Letërsinë, më 16 qershor me Matematikën dhe do të përmbyllen më 23 qershor me provimin me zgjedhje.
Me këtë rast, ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, u ka përcjellë një mesazh inkurajues maturantëve, duke i ftuar të përballen me besim dhe qetësi me këtë sfidë.
“Ju keni punuar fort, jeni përgatitur me testet model, testet provë dhe orët e këshillimit me mësuesit. Sot kam kënaqësinë t’ju uroj me gjithë zemër mbarësi dhe shumë suksese. Suksesi do të jetë me ju! Mos e humbni besimin, sepse jeni më të mirët”, u shpreh ministrja.
Ajo theksoi se pas përfundimit të provimeve të maturës hapen mundësi të reja për të rinjtë, drejt universiteteve, tregut të punës dhe profesioneve që do të zgjedhin për të ardhmen e tyre.
Për zhvillimin e rregullt të procesit, në të gjithë vendin janë ngritur 144 qendra provimi. Në administrimin e testeve janë angazhuar 2.087 mësues administratorë dhe 170 monitorues të Ministrisë së Arsimit, ndërsa 650 vlerësues do të merren me korrigjimin e testeve.
Autoritetet arsimore kanë bërë thirrje që maturantët të respektojnë rregullat e provimit, të paraqiten në kohë në qendrat e testimit dhe të shmangin përdorimin e pajisjeve elektronike apo materialeve të paautorizuara, të cilat mund të çojnë në përjashtim nga provimi.
Matura Shtetërore 2026 konsiderohet një etapë vendimtare për mijëra të rinj, të cilët synojnë të vijojnë studimet e larta ose të hedhin hapat e parë në tregun e punës.
