Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar për zhvillimet në Zvërnec, duke dënuar dhunën e ushtruar ndaj protestuesve, ndërsa njëkohësisht ka theksuar se PD mbështet investimet e huaja dhe garantimin e të drejtës së pronës.
Duke folur para ambienteve të SPAK, Berisha tha se nuk kishte informacion të plotë mbi projektin konkret, por u ndal te incidenti i ndodhur gjatë protestës.
“Nëse është fjala për dhunën e ushtruar ndaj protestuesit, e dënoj me forcë. Ishte një rrëmbim në duart e policisë, një akt i shëmtuar,” deklaroi ai.
Berisha shtoi se nuk disponon dokumentacionin e plotë të projektit në Zvërnec, megjithëse ka ndjekur debatet dhe publikimet që janë bërë në media.
Lideri demokrat theksoi se Partia Demokratike ka mbështetur historikisht investimet e huaja, duke kujtuar se gjatë qeverisjes së tij ishte miratuar një mekanizëm ligjor për mbrojtjen e investitorëve dhe zgjidhjen e konflikteve mbi pronësinë.
Sipas tij, ligji parashikonte që në rast se një investim i huaj miratohej mbi bazën e dokumentacionit zyrtar të pronësisë dhe më pas lindnin konflikte pronësore, shteti merrte përsipër kompensimin sipas vlerës së tregut.
“Këtë e bëmë sepse shumë investitorë përballeshin me tentativa pengmarrjeje përmes konflikteve pronësore. Pas miratimit të ligjit, problemet u reduktuan ndjeshëm,” tha Berisha.
Ai nënvizoi se mbrojtja e të drejtave të pronarëve dhe nxitja e investimeve të huaja nuk janë objektiva që përjashtojnë njëra-tjetrën.
“Partia Demokratike është partia që proteston kur është e nevojshme, por njëkohësisht mbështet investimet e huaja dhe garanton të drejtat e pronarëve me ligje të drejta,” deklaroi ai.
Në përfundim, Berisha u shpreh se përpjekjet për të larguar investitorët e huaj nuk i shërbejnë interesit të vendit.
“Nuk ka interes më të mbrapshtë sesa përpjekja për të përzënë investitorët e huaj,” tha kreu i opozitës.
